Policia e Fierit realizon aksionin e çuditshëm, kap në “flagrancë” 25-vjeçarin
Vidhte dollarë imagjinarë në “Facebook”, arrestohet 25-vjeçari. Policia e Fierit ka realizuar dje arrestimin më të çuditshëm të ndodhur ndonjëherë në Shqipëri, duke vënë në pranga një person që ka vjedhur valutë virtuale.
Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare të Komisariatit të Policisë së Fierit. Zëdhënësja e këtij komisariati njoftoi dje se është arrestuar shtetasi Kleant Pita, 25 vjeç, lindur e banues në qytezën e Roskovecit. Ai është kapur në flagrancë pas denoncimit të kryer nga pronari i një qendre interneti që ndodhet në qendër të Roskovecit. F. Hoxha është pronari që ka denoncuar 25-vjeçarin në polici. Hoxha i ka thënë policisë se Kleant Pita është gjetur prej tij duke instaluar një program që u vidhte klientëve të qendrës së internetit kreditin e lojës së pokerit, që në zhargon njihen si “Çipsa” (Chips ang.). “Vinte si klient, ndërkohë që bëhej pronar ilegal. Është skandaloze ajo që bënte, ndaj u detyrova ta denoncoja dhe të njoftoja policinë që të verifikonte vetë vjedhjen e Kleant Pitës”, mësohet të ketë thënë për grupin e hetimit pronari i qendrës së internetit, ku është regjistruar vjedhja dhe arrestimi i pazakontë.
Policia e ka marrë me shumë seriozitet këtë rast. Zëdhënësja tha se mbrëmjen e së enjtes, rreth orës 21:00, Kleant Pita kishte hyrë në qendrën e internetit që drejtohej nga F. Hoxha si klient. Ai është ulur në kompjuterin numër 11 të qendrës së internetit, ka nxjerrë USB-në personale dhe ka nisur të instalojë një program që u vidhte fjalëkalimet klientëve që frekuentonin qendrën e internetit.
Ky veprim është pikasur nga pronari Hoxha, i cili nga kompjuteri kryesor i qendrës së internetit ka siguruar prova dhe më pas ka njoftuar edhe policinë. Ajo nuk ka vonuar dhe e ka gjetur 25-vjeçarin duke kryer “veprën penale”.
Në cilësinë e provës materiale policia ka sekuestruar USB-në ku ndodhej edhe programi i vjedhjes së fjalëkalimeve. Po ashtu policia ka ushtruar kontroll në kompjuterin nr. 11, ku kishte kryer veprimet Pita. Atje policia ka gjetur të instaluar programin dhe e ka konsideruar këtë provë për të vënë në pranga 25-vjeçarin dhe për të nisur ndaj tij hetimet për veprën penale “Vjedhje me anë të mashtrimit”.
Sipas pronarit të qendrës së internetit në Roskovec, vetëm gjatë mbrëmjes së të enjtes Kleant Pita ka mundur që me anën e programit të marrë nga persona të ndryshëm mbi 250 milionë dollarë virtualë. Më pas ai i shiste këto kredite me 200 lekë për 1 milion.
Fenomeni i vjedhjes së çipsave është bërë shqetësues për përdoruesit e lojës “Texas Hold’em Poker” në rrjetin social “Facebook”. Ndërkohë që hajdutët virtualë kanë zhvilluar biznesin e tyre të shitjes së këtyre çipsave. Shumë qendra interneti në të gjithë vendin kanë të afishuar në ambientet e tyre njoftimin “shesim çipsa”.
(C) Shqip
----------------------------------------------
![]()
![]()
o zot sa kom qesh
Krijoni Kontakt